Qëlluan kryeministrin me vezë, studentët duan pafajësi

13/03/2017 00:00

Në mbyllje të shqyrtimit gjyqësor, studentët që qëlluan me vezë kryeministrin Edi Rama i kërkuan gjykatës t’i shpallë ata të pafajshëm.

Me argumentin se veza nuk shkakton dëmtime fizike dhe se ajo u përdor si mjet proteste për të kundërshtuar ligjin për arsimin e lartë studentët kundërshtuan akuzën e goditjes për shkak të detyrës.

“Kërkojmë pafajësi, për shkak se ka qenë një e drejtë e jona qytetare për ta vënë para përgjegjësisë”, u shpreh një nga studentet nën akuzë.

“Edhe në Kosovë ka ndodhur një situatë e ngjashme. Vetëm se atje patën qëlluar me ngjyrë të kuqe duke ngjyrosur Rektorin e Universitetit dhe më pas pati aksione të tjera”, tha një tjetër i ri.

Mendoj se goditja me vezë, një objekt kaq delikat, nuk mund të shkaktojë dëmtime fizike dhe është e vështirë për ta klasifikuar si një goditje të mirëfilltë. Më tepër goditja me vezë është një akt proteste. Një veprim që shprehet jo me fjalë, por me veprime”, u shpreh avokati Dorian Matlia.

Prokuroria nga ana e saj ka kërkuar dënimin e tetë studenteve me punë publike për ngjarjen e nëntorit 2015 për dy vepra, atë të goditjes për shkak të detyrës dhe kundërshtimit të policisë.

Top Channel