Chelsea-United; Mourinho, pa sulmues ndaj “bluve”

10/03/2017 00:00

Sot në mbrëmje do të luhet supersfida mes Chelseat dhe Manchester United e vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Anglisë.

Trajneri i Djajve të Kuq, Jose Mourinho do të shkojë në Stamford Bridge me një problem shumë të madh, nuk do të ketë sulmues për t’u përballur me skuadrën e Contes.

Mungesës së Ibrahimoviç për shkak skualifikimi, i bashkohet ajo e Rooney për Martial e Rashford. Kapiteni i Manchester United  shfaqi probleme fizike pas përplasjes me Jones dhe nuk ishte i pranishëm në seancën e fundit stërvitore. Kjo do të thotë se Mourinhos do t’i duhet të sajojë një formacion ku nuk përjashtohet mundësia që ai të aktivizojë Fellainin në qendër të sulmit apo Mkhytarian në rolin e sulmuesit të fshehur.

Ndërsa te Chelsea, situata është krejtësisht ndryshe ne krahasim me Djajtë e Kuq. Trajneri Antonio Conte i ka të gjithë futbollistët të gatshëm për këtë ndeshje. Madje italiani mund të aktivizojë Akè që nga minuta e parë për të lënë pushim një prej Fabregas apo Matic.

Chelsea dhe Manchester United është një sfidë që flet edhe me gjuhën e shifrave. Kjo e Stamford bridge është e 46 për Mourinhon, ndërsa Chelsea do të luajë sfidën e 34 sezonale. Në përballjet direkte në FA Cup, Manchester United është në avantazh të dukshëm pasi në 11 përballje, Djajtë e Kuq kanë fituar 8, ndërsa Chelsea 3. Objektivat për të dy trajnerët janë të ngjashme. Conte synon fitoren e kësaj kupe dhe të kampionatit, ndërsa Mourinho do tentojë që të bashkojë FA Cup dhe Europa League me trofeun e Kupës së Ligës.

Top Channel