Ngërç për menaxhimin e “Loro Boricit”

10/03/2017 00:00

Menaxhimi i stadiumit të Shkodrës, “Loro Boriçi” është kthyer në një ngërç mes Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila ka kërkuar që ta menaxhojë dhe Bashkisë së këtij qyteti, sipas së cilës në momentin e dorëzimit të plotë bashkë me palestrat, do ta mbajnë vetë nën administrim.

Në një intervistë për Top Channel, kryetari i komisionit të terreneve dhe infrastrukturës sportive në FSHF, Arben Dervishaj, tregon problemin.

“Ne do të fillojmë punën me pistën e atletikës që do të jetë Olimpike me 8 korsi dhe brenda muajit prill apo fillimi i majit do të përfundojë. Ndërkohë  që për momentin nuk kemi para për të financuar më në stadiumin e Shkodrës pasi po punojmë paralelisht me stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, nëse do të na ndihmojë qeveria do t’i mbyllim edhe ato pak gjëra që kanë mbetur”, u shpreh Dervishaj.

Ndërkohë çështja e administrimit është një pikë kyçe që tregon qartë për mbajtjen në një gjendje sa më optimale të këtij impianti.

“Si fillim kryetarja e bashkisë duhet të na kthejë një përgjigje çfarë do të ndodhë me administrimin pasi i kemi dërguar shkresë zyrtare. Nisur nga eksperienca me stadiumin e Elbasanit do të jetë shumë mirë nëse e administrojmë ne sepse të gjitha stadiumet që administrojnë bashkitë janë në gjendje të rënduar.

Top Channel