Apeli lë në fuqi dënimin për Partizanin, reagon klubi

09/03/2017 00:00

Klubi i Partizanit ka reaguar ditën e sotme pas vendimit të Komisionit të Apelit për të lënë në fuqi dënimin me 4 ndeshje pa tifozë për “klubin e kuq” pas ngjarjeve në ndeshjen Kukësi-Partizani.

Me ironi, klubi i Partizanit thotë se “përshëndet” vendimin e Komisionit të Apelit. “Përgëzojmë “besnikërinë” e servilëve që janë punësuar dhe paguar në mënyrë direkte ndaj eprorit të tyre. Shpresuam dhe kërkuam drejtësi, duke i dhënë shansin për herë të fundit institucioneve të (pa)varura gjyqësore të futbollit, por sinjali i tyre ishte shqetësues për futbollin në Shqipëri”.

Më tej në deklaratë thuhet se drejtuesit e FSHF-së dhe punonjësit e tyre për një rrogë po shesin edhe idealet.

“Nuk dorëzohemi as për titullin kampion dhe as për të kërkuar futboll të ndershëm. Klubi i Partizanit garanton se titulli i sivjetëm do jetë më i bukur, jo prej kohëzgjatjes nga trofeu i fundit, por sepse do i japim një leksion ndershmërie të gjithë këtij sistemi të kalbur, duke nisur nga drejtuesit e FSHF-së, punonjësit e tyre që për një rrogë po shesin edhe idealet, ashtu edhe të gjithë puthadorët e presidentit të Federatës, që shpresojnë për të marrë “dhurata” dhe tolerime. Partizani nuk është vetëm, por i gjithë shqiptarëve. Drejtësia vonon, por nuk harron!”, mbyllet deklarata e klubit të Partizanit.

Top Channel