Superiorja në 3 ditë, të premten Tirana me Skënderbeun

08/03/2017 00:00

Kategoria Superiore do të pasurojë fushatën e saj për këtë sezon me një tjetër kapitull të ri këtë fundjavë, me ndeshjet e shpërndara në 3 ditë që pritet të pasqyrojnë edhe ndryshime në renditje. Sfida kryesore mbetet pa dyshim ajo që ngre siparin e javës së 25 me përballjen e stadiumit “Selman Stërmasi” mes Tiranës dhe Vllaznisë.

Bardheblutë rikthehen në impiantin e tyre për sfidën me kampionët në fuqi, një duel që deri pak javë më parë presupozohej se përplaste dy rivalë për titull, por që tani distancon kryeqytetasit larg objektivave, e madje aktualisht jashtë Europës.

Të premten në orën 18:00 do të jetë dhe një ndërthurje intriguese mes pankinave. Ilir Daja pak muaj më parë u shkarkua për t’i bërë vend Josës me këtë të fundit që u largua nga Skënderbeu në muajin maj, duke e lënë kampion. Një fitore potenciale të premten, do t’i jepte korçarëve kryesimin e përkohshëm.

Të shtunën në orën 14:00, zbresin në fushë dy pretendentë të tjerë. Kukësi, të paktën në letër, duket se i ka të sigurta 3 pikët me Korabin pasi dibranët janë jashtë garës për qëndrimin dhe ofrojnë zero motivim përballë kryesuesve.

Në po të njëjtën orë, Partizani ka një test më të vështirë me Flamurtarin. “Demat e kuq” e kanë detyrim fitoren ndaj vlonjatëve për të mos humbur trenin e ekipeve të kreut, por bregdetarët do të luftojnë për t’ju shkëputur rënies, një diskutim të cilin nuk e mendonin në starton e sezonit në muajin gusht. E diela ul siparin e javës së 25 me sfidat Vllaznia-Laçi dhe Teuta-Luftëtari.

Top Channel