Conte: Inter nuk më ka kontaktuar

04/03/2017 00:00

Trajneri italian Antonio Conte është duke kaluar një periudhë më se pozitive në Premier League-n angleze, nën drejtimin e Chelsea.

Blutë e Londrës po dominojnë kampionatin duke kryesuar me 10 pikë diferencë nga ndjekësja më e afërt, Tottenham dhe meritë për këtë ka edhe trajneri Conte.

Ecuria e mirë e ish trajnerit të Italisë nuk ka kaluar pa u vënë re as nga ekipet e tjera dhe kohët e fundit disa klube janë vënë në ndjekje të teknikut.

Interi është një nga më të përfolurit si klubi i interesuar për t’i besuar Contes projektin e ri të drejtuesve kinezë, të cilët janë të gatshëm të bëjnë shpenzime marramendëse për të rikthyer ekipin në majat e futbollit.

Megjithatë, trajneri i Chelsea mohoi të jetë kontaktuar nga zi-kaltërit, për të marrë drejtimin e tyre, sezonin e ardhshëm.

“Mua personalisht nuk më ka kontaktuar asnjë përfaqësues i klubit zi-kaltër, megjithatë unë jam i prirur të respektoj deri në fund kontratën që kam më Chelsea-n”, u shpreh italiani.
Gjithsesi, pavarësisht deklaratave të besnikërisë, duket se Conte nuk ndihet i plotësuar në Angli.

“Më mungon shumë familja ime. Shpresoj të më bashkohen sa më shpejt sepse kam shumë nevojë për ta”, tha Conte.

Top Channel