Asnjë xhihadist për më shumë se një vit

28/02/2017 00:00

Prej më shumë se një viti, nuk ka pasur me qytetarë të Kosovës të cilët nisen drejt Lindjes së Mesme për të marrë pjesë në luftërat e rajonit.

Autoritetet vendore e konsiderojnë këtë fenomen pasojë të masave të ndërmarra në vazhdën e luftës kundër terrorizmit dhe radikalizmit ekstrem.

“Predikimet fetare jashtë kontrollit të institucioneve kompetente, niveli i ulët i arsimit, kushtet e vështira ekonomike dhe sociale, janë vetëm disa prej arsyeve që i shtynë kosovarët drejt betejave në Siri dhe Irak” vëren Radio Europa e Lirë.

Me përfshirjen e shtetasve të saj në konfliktet e këtyre vendeve, Kosova ishte përballur që në 2012-n. Nga regjistrimet e deritanishme, rezulton se gati 316 vetë kanë marrë pjesë në konfliktet në Lindjen e Mesme, ndërsa në zonat e luftës besohet se ndodhen edhe 140 të tjerë. 117 persona llogaritet të jenë rikthyer në Kosovë prej andej.

Profesori i sociologjisë së besimit, Ismajl Hasani i gjen arsyet e këtyre largimeve tek indoktrinimi i gjatë i disa klerikëve në mënyrën e predikimit nëpër institucionet fetare dhe terreni i lidhur me bazën socio-ekonomike të popullatës.

Në vitin 2015, Kuvendi i Kosovës miratoi një ligj për parandalimin e përfshirjes në luftërat e huaja, ligj ky i cili parashikon dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjithë ata që marrin pjesë, nxisin apo mbështesin përfshirjen në konfliktet jashtë vendit.

Top Channel