Meta: Dialog me opozitën. Deri në fund koalicionit qeverisës

22/02/2017 00:00

Në përfundim të mbledhjes së kryesisë së LSI-së, kryetari i kësaj partie Ilir Meta ka deklaruar se problemet e ngritura nga opozita në protestën e saj duhen zgjidhur me dialog.

“Dialogu është e vetmja rrugë për të zgjidhur çështjet që ngrihen, që kanë të bëjnë me standardet e zgjedhjeve dhe për të sqaruar mundësitë praktike të realizimit, për garancitë dhe standardet që kërkojnë zgjedhjet dhe për të përfunduar reformën zgjedhore, që duhej përfunduar prej kohësh”, ka deklaruar Meta.

Në konferencën për shtyp, Meta ka theksuar se, format konfrontuese nuk janë në të mirë të vendit dhe ka nënvizuar se, dialogu mazhorancë-opozitë është kyç për suksesin e reformave.

Duke iu përgjigjur interesit të mediave, Meta ka deklaruar se, LSI ka ndërmend të çojë deri në fund zotimet e marra në koalicionin qeverisës.

“Ne vazhdojmë në koalicion të përmbushim detyrimet dhe përgjegjësitë tona. Do të bëjmë gjithçka për një koalicion konstruktiv”, ka thënë Meta, i cili ka refuzuar të flasë për rolin e LSI pas zgjedhjeve të 18 qershorit.

“Ne nuk bëjmë asnjë kalkulim, aq më tepër të parakohshëm dhe të panevojshëm. Tani është koha për të mundësuar arritjen e standardeve më të larta në zgjedhjet e 18 qershorit. I rëndësishëm është rezultati që do të marrë Shqipëria dhe shqiptarët, për të cilin duhet të kujdesemi që tani”, ka shtuar Meta.

Meta: Venecia dhe konsensusi, boshti i reformës

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, duke drejtuar mbledhjen e kryesisë së kësaj partie, e ka vënë theksin tek zgjedhjet e 18 qershorit, mbarëvajtja e të cilave ka një rëndësi jetike.

“Zgjedhjet e 18 qershorit janë kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE, por edhe për të nisur reformën në drejtësi, në një terren të sigurtë dhe tërësisht legjitim, pavarësisht rezultateve të forcave politike, përfshirë LSI-në”, ka thënë Meta.

Ai ka theksuar se, referimi tek opinioni i Komisionit të Venecias dhe konsensusi mes palëve për reformën në drejtësi duhet të shërbejnë si bazë për reformën.

“Kjo reformë, që do të kërkojë kohën e saj, për ne ka 3 fjalë kyçe: Kushtetuta, ligji dhe transparenca”, ka shtuar Meta.

Meta: Takimi me Ramën, komunikim i zakonshëm

Më herët gjatë ditës, në një prononcim për mediat, Meta foli edhe për takimin me kryeministrin Rama, të cilin e cilësoi si diçka normale.

“Ky është një komunikim i vazhdueshëm, normal, bashkëpunues”, tha Meta, i cili refuzoi të jepte detaje mbi temat e diskutuara me partnerin qeverisës.

“Nuk dua të hyj në çështje konkrete dhe në çështje specifike. Dy çështje dua t’i nënvizoj. Rëndësinë e vazhdimit të reformës në drejtësi në mënyrën më kushtetuese, ligjore dhe transparente dhe kjo është e domosdoshme. Dhe së dyti, rëndësinë e dialogut për të garantuar zgjedhjet më të larta të standardeve evropiane më 18 qershor. Kjo kërkon një klimë dialogu dhe bashkëpunimi”, vijoi Meta, duke nënvizuar se rol të rëndësishëm ka edhe opozita.

“Dialogu me opozitën është kyç për integrimin evropian. Parlamenti në radhë të parë është i opozitës, sepse mazhoranca ka edhe qeverinë. Kështu që opozita parlamentin ka. Dhe është gjithnjë e mirëpritur në mënyrë që të çojë përpara kërkesat e saj për standarde me të lart për zgjedhjet e 18 qershorit”, tha Meta.

Top Channel