Goleadë në “Ettihad”, City fiton me përmbysje ndaj Monakos

21/02/2017 00:00

Manchester City fitoi me përmbysje dhe jo pa vështirësi ndaj Monakos, që mund të kishte dalë me një tjetër rezultat nga stadiumi Ettihad.

Në ndeshjen e vlefshme për çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, skuadra e drejtuar nga Guardiola priti në fushën e saj francezët e principatës. Vendasit gjetën golin në minutën e 26 të takimit me anë të Sterling. Por, gëzimi i “Citizens” zgjati vetëm gjashtë minuta, pasi në të 32-n, Falcao barazon gjithçka dhe pas tij, Mbappe do të heshtte “Ettihad” e do të dërgonte skuadrën mikë në avantazh në dhomat e zhveshjes.

Në të dytën rasti i parë më i mirë ishte sërish për miqtë, por në minutën e 50-të, Falcao shpërdoron një 11-metërsh që kishte fituar po nga ai vetë. Si të mos mjaftonte kjo, një gafë e Subotiç 8 minuta më vonë bën të festojë Agueron dhe gjithë vendasit që gjejnë golin e barazimit.

Por sërish festimet u ndërprenë në gjysmë. Falcao ngriu buzëqeshjen vendase në minutën e 61-të dhe riktheu avantazhin për miqtë.

Ky avantazh do të qëndronte në fuqi deri në minutën e 71-të, kur Aguero barazon. City nuk pajtohet më këtë rezultat dhe këmbëngul sërish. Përpjekjet shpërblehen në minutën e 77, kur Stones shënon golin e 4-t, ndërsa rezultati 5-3 do të vulosej nga Sane në minutën e 82.

Në takimin tjetër, Atletico mposhti Leverkusenin në Gjermani me rezultatin 4-2.

Top Channel