Falen 90 miliardë lekë borxhe

21/02/2017 00:00

Ministri i Financave Arben Ahmetaj deklaroi se qeveria do të miratojë në mbledhjen e radhës ligjin që fal borxhet e biznesit ndaj tatimeve dhe doganave.

“Detyrimet potencialisht për tu fshirë në total janë rreth 90 miliardë lekë. unë besoj se ky ligj do të ndihmojë në formalizimin e sipërmarrjes dhe do të sjellë edhe të ardhura për buxhetin”, tha ai.

Ligji fal plotësisht borxhet para vitit 2010, ndërkohë që i jep mundësi biznesit të përfitojë faljen e gjobave dhe kamatave nëse paguan detyrimin për borxhet nga 1 janari 2011 deri në 31 dhjetor 2014

“Është një draftligji i punuar me shumë kujdes. kemi marrë opinione nga sipërmarrja e kemi konsistuar me FMN, kemi prekur ndjeshmëritë e sa e sa viteve”, vijoi më tej ministri.

Sipas Ahmetajt kjo masë do të ndihmojë rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare, e cila sic tha ai tashmë është rikthyer në krye të rajonit.

“Këtë vit i kemi të gjitha mundësitë në referencë të studimeve të FMN që të jemi vendi me rritjen më të lartë në rajon dhe i dytë në vendet ish komuniste bashkë me Rumaninë”, u shpreh ministri i Financave.

Kreu i financave e quajti utopi kërkesën e opozitës për qeveri teknike, dhe sulmoi platformën e saj ekonomike, që sipas tij e çon Shqipërinë në faliment.
“Çdo qytetar që voton për taksën e sheshtë, voton që të heqin nga xhepi i vetë 120 milionë dollarë çdo vit dhe t’ja u jap këtyre që do e çojnë borxhin 80 për qind e GDP. Imagjinoni çfarë ndodh me Shqipërinë”, tha ai.

Top Channel