NBA, Golden State kthehet te fitorja

16/02/2017 00:00

Golden State Warriors e mori veten pas disfatës me Denver Nuggets duke mposhtur Sacramento Kings me rezultatin 109-86. Në “Oracle Arena”, skuadra kaliforniane ishte e papërmbajtshme dhe arriti të dominojë sfidën pavarësisht përjashtimit nga parketi të Dreymond Green në periodën e dytë të ndeshjes.

Protagonisti absolut për Warriors në këtë sfidë u bë Klay Thompson me 35 pikë, 17 nga të cilat i shënoi në periodën e tretë, që ishte edhe vendimtarja në fitoren e skuadrës që kryeson në Konferencën e Perëndimit.

LeBron James mori përsipër të drejtojë Cleveland Cavaliers drejt fitores së radhës në NBA, atë ndaj Indiana Pacers me rezultatin 113-104. “The King” shënoi 31 pikë në këtë ndeshje, statistikë së cilës i shtohen edhe 26 pikët e Kyrie Irving. Për Indiana Pacers, kjo ishte disfata e pestë radhazi në NBA, që këtë fundjavë do të jetë pushim për shkak të sfidës tradicionale “All Star Game”.
 
Nuk gaboi në këtë mbrëmje të NBA as San Antonio Spurs, që mposhti Orlando Magic në Florida me rezultatin 107-79. Ishte një sfidë që nuk pati histori, pasi të besuarit e Gregg Popovich iu imponuan Magic me shumë lehtësi, falë edhe LaMarcus Aldrige e Kawhi Leonard, të cilët shënuan respektivisht 23 dhe 22 pikë.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Oklahoma mposhti New York 116-105, falë të zakonshmit Russell Westbrook, Boston mundi Phoenix 116-108, ndërsa Miami fitoi ndaj Houston 117-109.

Top Channel