Vrasja e vëllait të Jong-un, një e arrestuar dhe dy të vrara

15/02/2017 00:00

Mediet japoneze flasin për dy gra të vrara e një tjetër të arrestuar, të cilat – sipas tyre, – mund të kenë lidhje me vdekjen e vëllait të udhëheqësit koreano-verior, Kim Jong-un. Nuk dihet ende se çfarë roli ka pasur vietnamezja 29-vjeçare e prangosur në Malajzi, por hetimet vazhdojnë.

Largimi nga jeta i Kim Jong-nam rrethohet më shumë nga pyetje, sesa nga përgjigje. 45-vjeçari, sipas raporteve në shtypin e huaj, udhëtonte nën një emër të rremë me destinacion Macaun. Përpara se të shembej në tokë, Jong-nam, të cilin kreu i Koresë së Veriut e ka vëlla nga babai, i ishte drejtuar një sporteli në aeroport, ku deklaroi se e kishin sulmuar dy gra aziatike.

Mendohet se agresoret ia kanë injektuar helmin me shiringë në qafë, ose mund t’ia kenë spërkatur në fytyrë. Tani priten rezultatet e autopsisë për të kuptuar saktësisht nga se vdiq 45-vjeçari. Dy gratë, sipas gjasave agjente koreano-veriore, ishin larguar nga vendi i ngjarjes me taksi, megjithatë tashmë disa gazeta japoneze thonë se ato janë gjetur të vdekura në Kuala Lumpur.

Peniani ndërkohë hesht. Identifikimin e Jong-nam nuk e bëri ai, por Seuli. Shërbimet sekrete koreano-jugore pretendojnë se urdhrin e eliminimit e ka dhënë vet Kim Jong-un, e thonë se në vitin 2012 ka pasur një tjetër tentativë ndaj jetës së vëllait të madh të diktatorit. Përpjekja e atëhershme pati dështuar.

Top Channel