Higuain, “mbreti” i golashënuesve të Europës për 2017-n

13/02/2017 00:00

Juventusi nuk ka ndryshuar shumë, por në këtë fillimvit duket se ka një sekret. Moduli i ri i lojës, sigurisht që ndikon, por ajo që jep më shumë shpresë është fakti që ka një Higuain në superformë dhe një mbrojtje “të blinduar”.

Fitorja ndaj Cagliarit shënon edhe ndeshjen e pestë radhazi pa pësuar gol, përveçse janë fituar që të gjitha, një sinjal që tregon se skuadra ka rigjetur ekuilibrin. Gjatë kësaj periudhe, “Il Pipita” është kthyer në një “vrastar”, teksa ka shënuar 8 gola në Serie A, më shumë sesa kushdo tjetër në 5 kampionatet më të rëndësishme të Europës.

Nëse do të bëhej një krahasim, Edinson Cavani i konsideruar si goleadori i kontinentit me 25 gola në “Ligue 1”, gjatë këtij viti ka shënuar 7 gola, ndërsa Luis Suarezi i Barcelonës dhe golashënuesi më i mirë i “La Liga” është ndalur në 6 gola. Kjo sa i përket “podiumit” të golashënuesve, që vijon më pas me Alexis Sanchezin e Arsenalit në “Premier League” me vetëm 5 gola, ndërsa një talent si Pierre-Emerick Aubameyang i Dortmundit ka shënuar vetëm një gol.

Duket qartësisht se Higuain është rikthyer në formën e tij më të mirë, ashtu siç ishte kampionatin e kaluar kush e shihte veten në krye të renditjes së golashënuesve me 36 gola në Serie A. Ndoshta mund të mos e përsërisë një arritje të tillë, duke qenë se gjysma e kampionatit ka ikur, por kur kanë mbetur edhe 14 javë premton të shkojë pranë rekordit të vjetshëm.

Që kur ka ardhur në Itali në sezonin 2013-2014, argjentinasi ka shënuar 21 dygolësha dhe 3 trigolësha, si askush tjetër më parë. Shifra këto që e bëjnë Allegrin të duket i qetë, pasi me një lojtar në formë si Higuain, goli nuk mund të jetë problem për Juventusin.

Top Channel