Poloni, plagoset në aksident kryeministrja “anti-BE”

11/02/2017 00:00

Kryeministrja polake Beata Szydlo ka mbetur e lënduar në një aksident rrugor në qytetin e saj të lindjes, në jug të Polonisë.

Pasi është dërguar në spitalin lokal, Szydlo është transportuar me helikopter në Varshavë, për t’iu nënshtruar mjekimeve më të specializuara. Mjekët thanë se 53-vjeçarja nuk ka pësuar asgjë serioze.

Autokolona e kryeministres po udhëtonte ditën e premte përgjatë rrugës kryesore të qytezës Osviecim, kur një makinë goditi “Audin” ku ajo ndodhej, duke e përplasur me një pemë.

Drejtuesi i veturës që shkaktoi aksidentin është identifikuar si një 21-vjeçar, që ka rezultuar negativ ndaj testeve të alkoolit.

Autoritetet përkatëse kanë nisur një hetim mbi ngjarjen dhe ende nuk dihet nëse ka qenë një aksident, apo diçka e organizuar në dëm të kryeministres.

Vlen të theksohet se aksidenti ka ndodhur në një kohë kur marrëdhëniet mes Polonisë dhe Brukselit janë ftohur, pasi ky i fundit nuk pranon politikat e Varshavës zyrtare.

Pak ditë më parë, zëvendës presidenti i Komisionit Europian, Jyrki Katainen deklaroi se, BE mund të “ngrijë” të drejtën e votës të Polonisë, nëse ky vend nuk ndërron kurs dhe angazhohet për respektimin e shtetit të së drejtës.

Top Channel