Avokati i Haradinajt: Serbia po shantazhon Francën për ekstradimin. Nuk do të ndodhë

10/02/2017 00:00

Arianit Koci, avokat i kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili mbahet në Francë që nga 4 janari në bazë të një fletarresti serb, ka shprehur bindjen se ekstradimi i tij në Serbi do të refuzohet.

Duke folur për “Telegrafin”, Koci tha se Gjykata e Colmarit do të jap të shtunën mendimin për ekstradim dhe më pas pala mbrojtëse mund të bëjë ankesë. Ai theksoi gjithashtu se, sido që të vendosë gjykata, pro ose kundër ekstradimit, është ministri francez i Drejtësisë që vendos në fund.

“Nesër gjykata jep mendim për ekstradim, atëherë ne kemi të drejtë ankese. Nëse refuzohet kërkesa për ekstradim, e jam i sigurtë që do të refuzohet, kjo çështje përfundon. Por në rast se Gjykata e Colmarit vendos ta ekstradojë Haradinajn, atëherë është ministri i Drejtësisë ai që do të vendosë për ekstradimin”, tha Koci.

Por sipas tij, ekstradimi i Haradinajt në Serbi nuk mund të ndodhë.

“Kërkesa e Serbisë është politike dhe riciklim i akuzave që janë trajtuar në Tribunalin e Hagës. Thjesht, Serbia po e keqpërdor të drejtën ndërkombëtare. Ndaj Haradinajt kanë një inat të posaçëm. Nuk ia falin luftën për pavarësi dhe betejat e fituara kundër regjimit gjenocidial të Milosheviçit. Ramushi është hero i gjallë, krenaria jonë, prandaj sulmi ndaj tij është sulm ndaj Kosovës”, tha ai.

Në fund, avokati Koci shprehet se Serbia po shantazhon edhe Francën.

“Udhëheqësit e saj kanë thënë publikisht se, nëse nuk e ekstradojnë Haradinajn në Serbi, atëherë as ata nuk do të ekstradojnë ndonjë të kërkuar në Francë”, tha Koci.

Top Channel