Pilotët e Formulës 1, si dema

09/02/2017 00:00

Pilotët e Formulës 1 po stërviten fort këto ditë për të qenë gati për një nga Botërorët më të lodhshëm të viteve të fundit. Rregullorja e re, me njëvendëshe me goma më të gjera dhe ngarkesë aerodinamike më të madhe, do të bëjë që forca e rëndesës të rritet.

Lewis Hamilton, Max Verstappen, Daniel Ricciardo, Valeri Bottas, Carlos Sainz dhe Fernando Alonso kanë treguar nëpërmjet rrjeteve sociale se si po stërviten para nisjes së sezonit të ri dhe nga fotot duket sikur do të ndeshen me njëri-tjetrin në ring.

Carlos Sainz ka shprehur përpara disa ditësh shqetësimin se kjo lloj stërvitjeje do të bëjë që të mos futet dot në njëvendëshe, pasi shpatullat, krahët dhe gjoksi janë zgjeruar shumë.

Por, Rupert Manwaring, trajner personal i pilotit spanjoll, thotë që kjo stërvitje është e nevojshme, pasi këtë sezon pilotët do të duhet të durojnë 50-60 kg në qafë.

“Koka bashkë me kaskën peshon gati 10 kg. Nëse e shumëzon me 5 ose 6 forcë G, muskujt e qafës duhet të rezistojnë 50-60 kg. Të gjithë pilotëve u duhen shumë muskuj”, shpjegon Manwaring.

Top Channel