Juventus-Inter, derbi që “nuk përfundon kurrë”!

08/02/2017 00:00

Ai është derbi i Italisë dhe për të fillon të flitet ditë para ndeshjes, ndërsa edhe pas takimit diskutimet vazhdojnë gjatë.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe edhe në takimin e fundit. Bardhezinjtë e Juventusit triumfuan këtë herë minimalisht me një supergol nga Cuadrado, por për takimin pati kontestime të mëdha, sidomos nga radhët e zikatërve kundrejt arbitrit kryesor Rizzoli.

Interi kishte pretendime për mohimin e dy penalltive, ndërsa pas takimit Mauro Icardi dhe Ivan Perisiç u pezulluan me nga dy ndeshje nga drejtësia sportive italiane për trazirat në fundin e takimit.

Por tashmë një episod i ri nga takimi është publikuar nga “Inter Channel”, ku sipas tyre arbitri Rizzoli ka bërë një tjetër gafë të rëndë.

Është minuta e 69 e ndeshjes dhe Ivan Perisiç kapet në pozicion jashtë loje. Chillieni nis lojën, duke e kthyer gabimisht topin për te Buffon dhe Icardi përfiton duke dalë i vetëm me portier, por arbitri i bie bilbilit dhe kërkon që loja të riniset edhe një herë, pa arsyetim.

Sipas skuadrës së Interit, ky është një tjetër episod që Rizzoli ka gabuar në këtë takim, duke ndikuar në rezultat.

Top Channel