SHBA, Gjykata e Apelit shqyrton urdhrin e Trump

08/02/2017 08:10

Gjykata e Apelit, që po shqyrton çështjen e kufizimit të udhëtimeve, shtroi pyetjen nëse urdhri ekzekutiv i Donald Trumpit është diskriminues ndaj myslimanëve.

Richard Clifton, një prej 3 gjykatësve që duhet të dalin me një vendim më vonë gjatë javës, pyeti nëse do të konsiderohet kjo lëvizje diskriminuese për 15% të myslimanëve të botës.

Gjatë betejës më të fortë ligjore deri më tani, në lidhje me dekretin e shumëdiskutuar, të dyja palët paraqitën në sallën e gjyqit argumentet e tyre. Avokati që përfaqësonte Departamentin e Drejtësisë, August Flentje u përpoq të argumentonte se presidenti ka fuqi të zgjeruar mbi emigracionin dhe sigurinë kombëtare.

“Gjykatësit federalë nuk kanë pushtetin të rishikojnë urdhrin ekzekutiv të presidentit. Sipas nenit 212, që Kongresi vet e ka autorizuar, ai i ndaloi hyrjen kësaj kategorie të huajsh, sepse po të mos e bënte këtë veprim, atëherë do të cënonte interesat e Shteteve të Bashkuara”, tha August Flentje, avokat.

Paneli i 3 gjykatësve ushtroi trysni mbi Flentjen, duke e pyetur nëse qeveria mund ta tregojë se 7 vendet e përcaktuara në dekret kanë lidhje me terrorizmin. Clifton u shpreh se nuk e bindin argumentet e juristit.

Washingtoni, Minnesota dhe disa shtete të tjera amerikane kërkojnë që Gjykata e Apelit në San Francisco ta bllokojë urdhrin ekzekutiv, për aq kohë sa do të kërkojë zhvillimi i proceseve gjyqësore. Sondazhet tregojnë se opinion publik amerikan është thellësisht i përçarë sa i takon kësaj çështjeje.

Top Channel