Kosovë, krerët e shtetit diskutojnë për Demarkacionin, Asociacionin dhe ushtrinë

07/02/2017 00:00

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përmbyllja e demarkacionit me Malin e Zi, si dhe shndërrimi i FSK-së në ushtri të rregullt kanë qenë në qendër të bisedimeve tripalëshe mes presidentit kosovar, Hashim Thaçi, kryeministrit Isa Mustafa dhe kryetarit të Parlamentit, Kadri Veseli.

Sipas një deklarate të publikuar nga Presidenca, në takim është folur për vazhdimësinë e koordinimit të përbashkët për jetësimin e zotimeve që Kosova i ka bërë përpara ndërkombëtarëve.

Në njoftimin e Presidencës theksohet se, realizimi i projekteve të lëna pezull, “përveçse do të mundësojë integrimin e plotë të komunitetit serb në institucionet e Kosovës, do t’i hapë rrugë liberalizimit të vizave për shtetasit kosovarë e do të konsolidojë më shumë shtetësinë dhe sovranitetit e Kosovës”.

Takimi i 3 udhëheqësve zhvillohet pas bisedimeve të nivelit të lartë me palën serbe në Bruksel dhe shembjes së murit në Mitrovicën e Veriut.

Top Channel