Ronaldinho lë futbollin, do jetë ambasador i Barçës

03/02/2017 00:00

Tërheqja e Frank Lampard nga futbolli përkon me largimin e një tjetër emri të madh të këtij sporti. Bëhet fjalë për Ronaldinho, i cili pas një karriere të gjatë në fushat e blerta vendos të varë këpucët në gozhdë. Megjithatë kjo nuk do të thotë se braziliani do të braktisë përfundimisht botën e futbollit.

Në të vërtetë, Ronaldinho do të kthehet te Barcelona, por me një tjetër rol. Në 10 vitet e ardhshme ai do të jetë ambasadori i klubit katalanas në mbarë botën, duke promovuar evenimente të ndryshme. Kjo detyrë për Ronaldinho-n është pjesë e projektit të legjendave të Barcelonës dhe fondacionit të këtij klubi që është i lidhur me UNICEF.

Nëpërmjet një komunikate për shtyp, Barcelona thekson se Ronaldinho do të ndihmojë që të bëjë akoma më globale markën e këtij klubi dhe të përçojë në botë të gjitha vlerat e Barcelonës.

Gjithçka do të ndodhë nëpërmjet një bashkëpunimi mes “FCBEscola”, Akademisë së futbollit të klubit dhe asaj të Ronaldinho-s. Ky i fundit do të marrë pjesë në përurimin e disa shkollave dhe në aktivitete të ndryshme në prani të fëmijëve.

Top Channel