Shkollat e reja, MAS përfiton 56 mln euro

03/02/2017 00:00

53 shkolla të reja dhe 97 të tjera do të rikonstruktohen falë partneritetit publik-privat me projektin e sapo shpallur nga Qeveria “One Billion Project”.

Ministria e Arsimit ka gati një hartë me fshatrat dhe qytetet  ku nevojiten shkolla të reja si dhe emrat e shkollave, të cilat kanë nevojë për rikonstruksion. Nga projekti i Qeverisë, Ministria e Arsimit do të shfrytëzojë 56 milionë euro.

“Ky projekt do të implementohet në arsim pikërisht në 150 institucione arsimore, ku përfshihen 97 rikonstruksione dhe 53 ndërtime të reja”, thotë Zamira Gjini, drejtore e Arsimit Parauniversitar.

Pjesën më të madhe të fondeve për ndrërtim shkollash do ta marrë Tirana me 21 shkolla të reja, duke vijuar më pas me Elbasanin dhe Beratin.

“Do të ndihmojë shumë për të realizuar objektivin që ka Ministria e Arsimit për të ulur numrin e nxënësve në klasë, për ta çuar deri në 30 nxënës në klasë, sidomos në zonat e mëdha urbane, një nga objektiva tona është edhe eleminimi i mësimit me dy turne dhe ky projekt do të ndihmojë shumë”, sqaron Gjini.

Shkollat do të nisin të ndërtohen së shpejti nga kompani private, ndërsa likujdimi i tyre nga Qeveria do të bëhet në harkun kohor prej tre vitesh.

Top Channel