Ministri rumun i Biznesit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Florin Jianu dha dorëheqjen në shenjë proteste ndaj qëndrimit të qeverisë socialdemokrate mbi korrupsionin.

Largimi i tij vjen në kohën kur Rumania është përfshirë nga protestat më të mëdha që prej revolucionit të 1989-s që solli rrëzimin e komunizmit.

Në faqen e tij në “Facebook”, ministri shpjegoi se po dorëhiqet pasi nuk dëshiron t’i tregojë fëmijës së tij se është një burracak që pajtohet me diçka në të cilën nuk beson.

Demonstratat kundër ligjit për zbutjen e dënimeve të korrupsionit përfunduan një ditë më parë në përleshje të ashpra mes tubuesve dhe policisë. Numri i demonstruesve të mbledhur mbrëmjen e së mërkurës përpara ndërtesës së kryeministrisë në Bukuresht llogaritet diku tek 150.000 vetë.

Mijëra të tjerë kanë mbushur rrugët e 55 qyteteve dhe fshatrave në mbarë vendin. Katër persona, dy protestues e dy policë mbeten të lënduar nga përplasjet në kryeqytet.

Dekreti që nxiti valën e protestave mbarëkombëtare u miratua nga kabineti mbrëmjen e së martës me procedurë të përshpejtuar. Qeveria nuk i mori fare parasysh deklaratat e ekspertëve, që pas verifikimeve te kujdesshme dolën në përfundimin se burgjet në Rumani nuk janë të mbingarkuara, ose të paktën janë më pak të ngarkuara se ato holandeze dhe italiane.

Specialistët rrëzuan kësisoj argumentin kryesor mbi të cilin mbështetej nisma për shfajësimin e atyre që kanë shkaktuar më pak se 44.000 euro dëme. Në mesin e të akuzuarve për shkelje është dhe vetë kryetari i socialdemokratëve, Liviu Dragnea, si dhe shumë anëtarë të tjerë të kësaj partie, të dyshuar dhe ata për korrupsion.

Top Channel