Muzaka rrëfehet pas gjyqit!

02/02/2017 00:00

Gjergji Muzaka tashmë i përket Skënderbeut! Pasi fitoi gjyqin me Tiranën, futbollisti vendosi të bashkohej me kampionët deri në fund të sezonit. Në një intervistë ekskluzive për Wake Up në Top Channel, e para që pas historisë së gjyqit, ai ka folur për foton që e tregonte me përparësen e bardhë të farmacisë.

“Unë jam diplomuar për Farmaci në Fakultetin e Mjekësisë. Dhe jam duke bërë praktikën tek farmacia e një mikeshës sime, në mënyrë që të mund të marr licencën për një farmaci timen, e cila kërkon një përvojë prej tre vjetësh… Edhe fotoja që qarkulloi në rrjet, është bërë pikërisht nga kjo eskperiencë që po kaloj në banakun e një farmacie”.

I pyetur për periudhën e vështirë që sapo kaloi, Muzaka përdori një shprehje popullore, që thotë se haka shkon tek i Zoti.

“E gjitha filloi para dy vitesh; nënshkrova një kontratë me Tiranën me mendje dhe dëshirë për ta mbyllur karrierën time aty. Por së fundmi kalova një periudhë tepër të vështirë dhe të sikletshme. Si përfundim, më vjen mirë që e gjeta të drejtën time si nga aspekti institucional ashtu edhe nga mbështetja e opinionit sportiv”.

Pyetjes se si është marrëdhënia e tij aktuale me Presidentin e Tiranës, Refik Halili, ai iu përgjigj:

“Është për t’u vlerësuar se çfarë ka dhënë në futboll si President, mbase jashtë futbollit mund të ishim shumë miq por fakti që kontrata na ndau do të thotë që nuk ishim në një linjë”.

Gjergji Muzaka tashmë do të jetë sërish nën urdhërat e Ilir Dajës, duke u rikthyer tek Skënderbeu, me gjasë për ta mbyllur aty karrierën. Ai është 32 vjeç dhe gjyqi me klubin e Tiranës dhe diçitura “Futbolli nuk zgjat përgjithmonë” bënë që të mendohej edhe për një varje këpucësh në gozhdë, por vetë Muzaka e ka mohuar këtë, duke lënë të nënkuptohet se farmacia mund të presë edhe për pak kohë…

Top Channel