Leku shkon te “Leku”, Tirana paguan borxhin problematik

31/01/2017 00:00

Në fillim një mbledhje motivuese ku futbollistët dhe stafi teknik u zotuan për të nxjerrë ekipin nga kriza, e më pas fjala i kaloi drejtuesve për financat.

Duket se te Tirana po e formulojnë ngadalë recetën antikrizë dhe për të përmirësuar klimën te 24 herë kampionët e vendit shërbeu edhe pagesa “in extremis” e një borxhi që mund të ishte rrënues për ambiciet e kryeqytetasve.

31 janari ishte afati i fundit që bardheblutë duhet të paguanin 10 mijë euro për një futbollist që është aktivizuar vetëm në ndeshjen miqësore Tirana-Milan, Lek Kcira.

Drejtuesit e klubit bardheblu bënë pagesën prej 10 mijë eurosh dhe për këtë u njoftua zyrtarisht FSHF dhe FIFA. Nëse  borxhi nuk do të likuidohej, Tirana do të përjashtohej nga kupat europiane pavarësisht renditjes. Më parë, UEFA penalizoi ekipin me përjashtim nga merkato dimërore, masë që nuk lejoi Bakajn të luante me Tiranën për pjesën e mbetur të sezonit.

Top Channel