Raporti i “Freedom House”: Nacionalistët po fitojnë terren

31/01/2017 00:00

Shqipëria vazhdon të renditet si pjesërisht e lirë edhe në raportin e fundit të “Freedom House”. Organizata, që vlerëson shkallën e lirive demokratike nëpër botë, i jep vendit tonë 68 pikë nga 100 që është totali.

Në përgjithësi, raporti vëren se liria ka shënuar rënie në shkallë botërore për 11 vite me radhë. Nga 195 shtetet e përfshira në këtë vëzhgim, të lira janë 87 prej tyre, apo 45%. 59 të tjera, apo 30 për qind konsiderohen pjesërisht të lira, ndërsa 49 vende, apo 25 për qind nuk janë aspak të tilla.

Shqipëria dhe Kosova përfshihen në mesin e vendeve me liri të pjesshme, kategori kjo ku bëjnë pjesë edhe shtete të rajonit, si Bosnje-Hercegovina, Maqedonia e Mali i Zi. Kroacia dhe Serbia janë përfshirë në kategorinë e vendeve të lira.

Organizata vëren se, gjatë vitit të kaluar, populistët dhe forcat nacionaliste kanë fituar terren në shtetet demokratike, ndërsa fuqitë autoritare të përfshira në akte të pacipa agresioni dhe mizori të mëdha nuk kanë pasur asnjë kundërvënie në zonat e luftës në dy kontinente.

Rusia evidentohet në raport si një prej vendeve ku janë shkelur më shumë liritë gjatë vitit 2016.

Shqipëria merr 3 pikë përsa u takon të drejtave politike, në një shkallë ku 1 është më e lira dhe 7 më pak e lira, e po kaq i jepet dhe për të drejtat civile. Në Ballkan, sipas “Freedom House”, proceset e ndershme zgjedhore dhe sundimi i ligjit kanë ardhur në përkeqësim, e këtu organizata bën me faj edhe Bashkimin Europian, që ka neglizhuar – sipas saj, – rolin e tij në promovimin e demokracisë te vendet që synojnë anëtarësim në BE.

Top Channel