“Shkëlzenin për Nuen”, Balla: E thërrasim nëse nuk vjen dëshmitari

27/01/2017 00:00

Dëshmia, ose jo e sekserit kosovar Nue Kalaj në Komisionin Hetimor Parlamentar për privatizimin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, do të përcaktojë edhe thirrjen për dëshmi të Shkëlzen Berishës.

Nëse Kalaj nuk do të paraqitet, atëherë deputetët socialistë do të kërkojnë që të paraqitet në komision djali i ish-Kryeministrit Berisha, i cili sipas tyre përmendet në një e-mail mes Nue Kalajt dhe drejtuesve të CEZ.

“Nëse deri ditën e hënë nuk do të kemi zotin Nue Nik Kalaj, do të vijojmë me personat që kanë njohje, sikurse është përmendur zoti Shkëlzen Berisha”, tha kreu i Komisionit, Taulant Balla.

Opozita kërkoi thirrjen si dëshmitar të ish-drejtorit të CEZ-it në Shqipëri, Josef Hajsek, procedurën për të cilin do ta ndjekë Ministria e Drejtësisë.

Ndërkohë, në Komisionin tjetër hetimor, të kërkuar nga Partia Demokratike për zgjidhjen e kontratës me CEZ, situata degradoi në ofendime mes palëve.

Debati nisi pas kërkesës së demokratëve për shtyrjen e afatit të hetimit me 2 muaj, pasi ka mjaft dëshmitarë për t’u pyetur, por për mazhorancën koha ka qenë e mjaftueshme, ndërkohë që sipas tyre drejtimi i Komisionit nga Edmond Spaho ka qenë jo korrekt.

Gjithsesi, do të jenë strukturat drejtuese të Kuvendit që do të vendosin mbi shtyrjen ose jo të afatit të Komisionit.

Top Channel