“Dopingu”, kontratë për burg. Gjoza: Luan Shabani mban përgjegjësi

25/01/2017 00:00

Akuzat e bëra publike nga ish-kampioni i botës Daniel Godelli ndaj Federatës Shqiptare të Peshëngritjes ndaj ish-trajnerit Luan Shabani, kanë sjellë reagimin e Presidenti të Federatës Shqiptare të peshëngritjes, Elez Gjoza, i cili heq çdo përgjegjësi nga vetja.

“Unë nuk e mendova të udhës që ekipi të udhëtonte drejt Greqisë. Nëse Shabani do të vinte në Shqipëri do të ishte edhe nën kontrollin e mjekëve tanë. Danieli në këtë histori është i pafajshëm”, shprehet Elez Gjoza.

Për të vërtetuar mosbesimin e tij, Gjoza ka kërkuar që për këtë shërbim të Luan Shabanit të hartohet një kontratë shërbimi.

“Nëse vendosej që ekipi të shkonte unë doja një kontratë, ku dikush të mbajë një përgjegjësi penale, financiare. Edhe sekretarin e federatës e kam autorizuar dhe ka shkuar të bëjë një kontratë me Luan Shabanin që mban përgjegjësi morale dhe penale”, thotë Gjoza.

Top Channel ka siguruar edhe një kopje të kontratës së shërbimit të Luan Shabanit me Federatën shqiptare të peshëngritjes, sipas të cilës theksohet përgjegjësia ligjore dhe morale në rast mosplotësimi të kushteve apo për përdorim të suplementëve gjatë kësaj periudhe. Kjo është një nga arsyet për të cilat as Daniel Godelli dhe as Elez Gjoza nuk kanë asnjë përgjigje.

“Unë kam kërkuar vazhdimisht shpjegime nga Luan Shabani. Kam pasur një kontakt fizik me atë. Kam udhëtuar për gjithë natën. Pasi u shokova nga lajmi, Luan Shabani nuk më shprehej dot si ka ndodhur”, thotë Gjoza.

Ndërkohë komiteti olimpik është duke përgatitur me organet e tijt ë drejtësisë të ndërmarrë një hetim për këtë çështje deri në zbulimin e fakteve të tjera.

“Do të ndiqet deri në fund, vetëm në anën zyrtare. Ne do të bëjmë maksimumin që të dalë e vërteta. Ta stimulosh veten është e rëndë dhe kjo është më e rënda për sportin shqiptar”, thotë Viron Bezhani, president i KOKSH.

Top Channel