Dosjet e sigurimit të shtetit, e para historia e Musine Kokalarit

25/01/2017 00:00

Në godinën e re të Autoritetit për informimin e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit do të sistemohen brenda pak ditëve mijëra dosje, të ndara në 4 dhoma të veçanta sipas viteve.

Ndërtesa do të jetë gati brenda pak kohësh, periudhë gjatë së cilës do të bëhet edhe transferimi i dosjeve nga të gjitha arkivat e shtetit.

E teksa infrastrukura ka nevojë për ndërhyrjet e fundit, 3 kërkesat e para për pastërtinë e figurës kanë mbërritur. E para dosje që do të hapet, me kërkesë të vetë familjes, është ajo e Musine Kokalarit.

“Jemi interesuar dhe ekziston dosja e saj në fondet e ish-sigurimit të shtetit. Do jenë disa procese të përpunimit dhe do mundohemi të bëjmë maksimumin. Nuk është një premtim, por synimi ynë. Çështje të tilla marrin kohë dhe materiali është voluminoz”, deklaron Genta Sula, drejtuese e Autoritetit.

Stafi i Autoritetit, përveç grumbullimit dhe sistemimit do të përpunojë për të kaluar më pas në proces dixhitalizimi mijëra dosje.

“Deri tani janë numëruar 212 mijë dosje të ndryshme, 250 mijë skeda personale dhe janë disa dhjetëra milionë faqe. Me kalimin e kohës, kur të sistemohet godina e re, ato do të vendosen në katin përdhes, që do të jetë zemra e institucionit”, thotë Sula.

Autoriteti për informimin e dosjeve do të shërbejë përveçse si institucioni i memories, edhe i ndërgjegjësimit. “Do jetë një prces shumë i gjatë që do t’i përkasë edhe shoqërisë, por edhe gjithësecilit, nëse do jenë gati të përballen me ndjenjën e fajit, të humbjes, por ndoshta edhe pajtimit”, thotë Sula.

Por a do të shërbejë hapja e dosjeve për ta ndarë të tashmen nga e kaluara?

“E shkuara është aty dhe nuk e zhbëjmë dot. Puna është se çfarë bëjmë me atë të kaluar, a e zbardhim, a i kurojmë plagët e saj, a e promovojmë pajtimin? Shoqëria shqiptare e ka bërë këtë zgjedhje”, shton Sula.

Top Channel