Incidenti në aeroport, Granit Xhaka akuzohet për racizëm

24/01/2017 00:00

Blerja më e shtrenjtë e Arsenalit në merkaton e verës, mesfushori Granit Xhaka po kalon një periudhë jo të mirë te skuadra e futbollit anglez. Pas daljes me karton të kuq në ndeshjen e fundit të Premier League, lojtari që aktivizohet me kombëtaren e Zvicrës ka rënë sërish prè e nervozizmit, këtë herë në aeroportin “Heathrow” të Londrës.

Policia mori në pyetje Granit Xhakën, pas akuzave se abuzoi mbi baza raciste me një punonjës të stafit në aeroportin më të madh britanik. Sipas procesverbalit të mbajtur, Xhaka ishte duke përcjellë një shok drejt Gjermanisë, futbollistin shqiptar Leonard Lekaj, por këtij të fundit iu refuzua “check in” në avion, pasi kishte mbërritur vonë në Terminalin 5.

Dëshmitarët thanë se 24-vjeçari nga Kosova ofendoi punonjësin, duke detyruar këtë të fundit të thërriste Sigurimin.

Xhaka u transferua nën shoqërinë e agjentëve në një stacion policor në Londrën perëndimore, për t’u marrë në pyetje, e më pas u la i lirë. I kontaktuar nga “Telegraph”, ekipi i Arsenalit tha se kjo ishte një çështje private, por fakt mbetet që Xhaka ritheksoi sërish një mungesë disipline, këtë herë jashtë fushave të futbollit.

Top Channel