SHBA, u ndalohet hyrja kanadezëve kundër Trumpit

22/01/2017 00:00

Kalimin e kufijve amerikanë duket se nuk do ta kenë të vështirë vetëm personat e dyshuar për lidhje me terrorizmin islamik, por edhe ata që janë kundër Trumpit.

Të paktën kështu dëshmon rasti i dy shtetasve kanadezë, të cilët pretendojnë se nuk janë lejuar të hynin në SHBA, pasi kishin thënë se do të merrnin pjesë në protestat kundër presidentit të ri.

Joseph Decunha rrëfeu për CNN-in se kishte udhëtuar me makinë së bashku me disa miq të tij amerikanë drejt një pike kufitare mes Champlain të Nju Jorkut dhe St. Bernard de Lacolle të Kebekut, por pasi kishin treguar qëllimin e vizitës së tyre në SHBA u ishin nënshtruar një breshërie pyetjesh, ndër të cilat nëse ishin kundër apo pro Trumpit.

“U treguam të ndershëm dhe thamë se ishim kundër Trumpit për shkak të politikave të tij kontroverse”, citohet të ketë thënë shtetasi kanadez. Pyetjet u fokusuan më pas te mundësia e radikalizimit apo udhëtimeve në Lindjen e Mesme.

Pavarësisht se nuk kishin asgjë për të fshehur, Decunhas iu mohua hyrja në SHBA.

Një tjetër shtetas kanadez rrëfeu për CNN-in një histori të ngjashme, gjithashtu të verifikuar në një pikë kufitare të Kebekut. Ai thoshte se ishte pjesë e një grupi prej 6 kanadezësh dhe dy francezësh, që do të merrnin pjesë në protestat kundër Trumpit e që iu nënshtruan kontrolleve të imtësishme, pasi kishin përmendur qëllimin e vizitës së tyre. Pas konfiskimit të pasaportave e marrjes së shenjave të gishtërinjve nuk u lejuan të hynin.

Top Channel