Vlorë, bllokohet gomonia me dy italianë

21/01/2017 00:00

Policia e Vlorës ka bllokuar një gomone me dy shtetas italianë në bord dhe po heton nëse rasti në fjalë ka të bëjë me tentativë për trafik lëndësh narkotike nga Shqipëria drejt brigjeve italiane.

Gomonia u ndalua rreth orës 05:00 të mëngjesit të së shtunës në zonën e Porto Palermos, në Himarë.

Në mjetin lundrues me një gjatësi 8 metra dhe dy motorë 250 kuaj/fuqi, ndodheshin shtetasit italianë me inicialet M.M., 45 vjeç dhe A.A., 29 vjeç.

Policia thotë se gjatë kontrollit të ushtruar nuk janë gjetur materiale po sende të tjerë të kundërligjshme, ndërsa ka marrë në pyetje dy shtetasit italianë.

Nga deklaratat e tyre mësohet se mjeti lundrues është nisur nga Monopoli i Italisë me destinacion Korfuzin. Por, një defekt i shkaktuar në motor, sipas deklaratave të tyre, ka bërë që të ndalonin në Porto Palermo.

Top Channel