Fjalimet më frymëzuese presidenciale

20/01/2017 00:00

Më shumë sesa ceremoninë e betimit, të shumtë janë ata që mezi presin fjalimin pasues të Donald Trump dhe nëse Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara do të jetë mjaftueshëm frymëzues, jo vetëm për ata që i dhanë votën, por për gjithë amerikanët.

E duke u kthyer pas në kohë,  Zëri i Amerikës përmend disa prej fjalimeve bërë në ditën e inaugurimit e që kanë hyrë në histori.

Në vitin 1933, Franklin Roosevelt bëri betimin në kulmin e depresionit të madh.
“Para së gjithash, më lejoni të pohoj me bindje të thellë se gjëja e vetme të cilës duhet t’i frikësohemi, është vetë frika”, deklaronte ai.

Në vitin 1961 John Kennedy frymëzoi një brez të ri amerikanësh me një thirrje për t’i shërbyer vendit.

“Kështu pra miqtë e mi amerikanë, mos pyesni se çfarë mund të bëjë Amerika për ju, por çfarë mund të bëni ju për Amerikën”, deklaronte JFK.

20 vite më vonë, republikani Ronald Reagan erdhi në pushtet me premtimin për një qeveri më të vogël.

“Në këtë krizë, Qeveria nuk është zgjidhja për problemet tona, qeveria është vetë problemi”, thoshte ai.

Një nga sfidat me të cilat do të duhet të përballet Presidenti i ri Donald Trump është bashkimi i vendit. Sipas analistit, John Fortier, në fjalimin e tij, republikani duhet të fokusohet pikërisht tek kjo çështje.

“Mendoj se është një mundësi e madhe, është hapi i parë për t’i folur me të vërtetë vendit, për t’i thënë si president se disa nga mospajtimet që patëm gjatë fushatës ndoshta janë tejkaluar”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Trump njihet për stilin e tij të fjalimeve të improvizuara në fushatë. Por se çdo të ndodhë me fjalimin e inaugurimit kjo nuk mund të parashikohet, sipas analistit Norm Ornstein.

“Fjalimi i inaugurimit hartohet dhe shkruhet përpara dhe presidentët e lexojnë gjatë ceremonisë. Nëse  Donald Trump do të shkëputet nga ajo që është shkruar dhe të mbajë një fjalim të vetin kjo nuk dihet”, pohon analisti.

Donald Trump do të jetë presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara dhe toni që ai do të vendosë në fillim të mandatit të tij, do të jetë treguesi për llojin e udhëheqësit që aspiron të jetë.

Top Channel