Falja e Manning, Assange i gatshëm për ekstradim?

18/01/2017 00:00

Vendimi i presidentit amerikan në detyrë, Barack Obama, për të falur pjesën më të madhe të dënimit me burg për Chelsea Manning, analistit të ushtrisë që u fajësua për rrjedhjen masive të informacioneve të publikuara në “Wikileaks”, e ka rikthyer edhe njëherë vëmendjen te fati i Julian Assange.

Në një postim në “Twitter” javën e kaluar, faqja kundër sekreteve njoftoi se, nëse Obama do t’i garantonte lirinë Manning, themeluesi i “Wikileaks” do të pranonte ekstradimin në Amerikë, e tashmë lëvizja e presidentit në detyrë do të testojë këtë premtim.

Obama ia reduktoi në mënyrë drastike dënimin transgjinorit të lindur si mashkull me emrin Bradley, duke e liruar në muajin maj, gati 3 dekada më herët. Në një deklaratë lëshuar të martën, Assange tha se Manning nuk duhej të ishte dënuar kurrë dhe e përshkroi atë si një hero, guximi i të cilit duhej të duartrokitej e jo të dënohej.

Assange i kërkoi qeverisë amerikane të ndalte menjëherë luftën ndaj informatorëve të tillë si “Wikileaks” dhe vet ai, por nuk e përmendi zotimin e bërë në “Twitter”. Manning u dënua në gusht të vitit 2013 për spiunazh dhe akuza të tjera, pasi pranoi vjedhjen e 700 mijë dokumenteve të klasifikuara ushtarake e diplomatike, të cilat ia ofroi “Wikileaks”-it në vitin 2010.

Themeluesi i faqes, suedezi Julian Assange po qëndon prej 4 vitesh i mbyllur në Ambasadën e Ekuadorit në Londër. Ai refuzon të kthehet në Suedi, ku është i akuzuar për përdhunim, me frikën se më pas do të ekstradohet në SHBA për t’u përballur me akuzat për spiunazh.

Top Channel