Napoli, Maradona me një “One Man Show” në teatrin “San Carlo”

17/01/2017 00:00

Me dhjetëra tifozë u mblodhën në Teatrin mitik “San Carlo” të qytetit të Napolit, jo për një shfaqje të zakonshme. Tifozë të futbollit, por edhe shumë të tjerë ishin të pranishëm në “One Man Show” të Diego Armando Maradonës, spektaklin e ofruar nga legjenda e topit, që dekada më parë kishte elektrizuar qytetin.

Spektakli i titulluar “3 herë 10” u mbajt në një prej shtëpive më të vjetra të Operas në botë. Gjithçka kishte një kuptim, pasi Maradona kishte vendosur ta festonte kështu 30-vjetorin e shpalljes kampion të sezonit epik të vitit 1987.

“Kjo është fanella e parë e Napolit që më dhanë. Lojtarë të tjerë si Bruscolotti më mirëpritën dhe ma dhanë këtë fanellë, me të cilën ëndërrova për ëndrrën më të bukur.

U largova nga Barcelona, edhe pse më thanë të mos e bëja. Barça asokohe ishte klubi numër një, numër dy dhe 3 në botë, së bashku. Por unë ndoqa zemrën, pasi preferoj futbollin në vend të parave”, tha Maradona.

“Diegito” konsiderohet një shenjtor në Napoli për ndeshjet e zhvilluara, madje ai mban ende rekordin e shënuesit më të mirë të skuadrës jugore.

Duke argëtuar publikun, ish “Pibe de Oro” tha se kishte bërë enkas bileta më të shtrenjta se ish-futbollisti brazilian Pelè për një shfaqje të ngjashme.

“Ne kishim pak probleme me biletat e shfaqjes, pasi kushtonin 300 euro. Por a e dini pse e bëmë? Sepse na thanë që Pelè po e bënte për 200 euro, dhe ai duhet gjithmonë të përfundojë në vend të dytë”, u shpreh Maradona.

Top Channel