“Ishujt e sherrit”, mediet kineze: Shtetet e Bashkuara kërkojnë luftë

13/01/2017 00:00

Shtetet e Bashkuara të Amerikës rrezikojnë një luftë në shkallë të gjerë me Kinën, nëse tentojnë të bllokojnë aksesin kinez në ishujt e detit të Kinës së Jugut.

Kështu shkruhet në mediet shtetërore kineze, të cilat thonë se, nëse komentet e fundit nga figura amerikane bëhen realitet kur Trump të betohet si president, atëherë dy palët bëjnë mirë të përgatiten për përballjen ushtarake.

Gazeta kineze “Global Times”, e kontrolluar nga Partia Komuniste, iu referua deklaratave të Rex Tillerson, i zgjedhuri i Trumpit si kryediplomat, i cili tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë aksesin e Kinës në ishujt që po fortifikon apo ato artificialë që po ndërton.

Tillerson nuk specifikoi si do të bëhet kjo, por ekspertët dhe logjika e thjeshtë thonë se mund të bëhet vetëm me forcë. Duket se këtë ide ndan edhe shtypi kinez, pasi “Global Times” shkruan se Tillerson duhet të mësojë më shumë për strategjitë bërthamore, nëse planifikon që të dëbojë një fuqi bërthamore nga territori i saj.

Nën Barack Obamën, Shtetet e Bashkuara ishin neutrale për sovranitetin e ishujve, megjithëse shpesh sfiduan Kinën duke dërguar anijet luftarake në zonë. Duke përmendur këtë qëndrim, gazeta “China Daily” shkruan se, nëse Amerika bëhet më agresive mund t’i hapë rrugë një përballjeje shkatërrimtare me Kinën.

Sipas medieve kineze, komentet e Tillerson nuk duhen marrë seriozisht, pasi janë një gërshetim naiviteti, dritëshkurtësie, paragjykimesh dhe fantazish politike jo reale, që do të ishin shkatërrimtare në botën e vërtetë.

Në këtë kuadër, pasi shtypi lëshoi kërcënimet për luftë, reagimi zyrtar kinez ishte mjaft diplomatik. Ministria e Jashtme kineze tha se raportet SHBA-Kinë janë të bazuara në politika që nuk kërkojnë përballje dhe konflikt, por bashkëpunim dhe përfitime të ndërsjellta.

Top Channel