Ibra fiton betejën ligjore, u akuzua për doping

09/01/2017 00:00

Zlatan Ibrahimoviç fitoi betejën ligjore me ish-trajnerin e atletikës Ulf Karlsson. Ky i fundit, në prill të vitit 2016 deklaroi se sulmuesi i Manchester United kishte marrë substanca të ndaluara gjatë periudhës kur ishte pjesë i Juventusit, deklaratë kjo që nuk u prit mirë nga Ibrahimoviç.

Çështja u shqyrtua nga një gjykata e Varmlandit në Suedi, e cila vendosi që të dënojë Karlsson me vetëm një gjobë prej 24 mijë koronash suedeze. Sipas trupit gjykues, komentet e bëra nga ish-trajneri hynin në lirinë e të shprehurit, por objektivi i tyre ishte që t’i shkaktonin dëm futbollistit.

Fjalët e Karlsson shkaktuan polemika në vendin nordik, duke e detyruar ish trajnerin e atletikës që të tërhiqet dhe të kërkojë ndjesë nëpërmjet një letre të hapur. Një veprim ky që gjithsesi nuk e kënaqi plotësisht Ibrahimoviç, i cili e hodhi atë menjëherë në gjyq.

Top Channel