Vala e të ftohtit në Europë, mbi 20 viktima

08/01/2016 00:00

Temperaturat e acarta në mbarë Evropën kanë shkaktuar më shumë se 20 viktima dhe kanë mbuluar me borë edhe ishujt grekë apo Italinë e jugut. Italia ka anuluar fluturimet dhe ka ndaluar tragetet ndërsa shkollat në jug të vendit nuk do të hapen të hënën.

Hostelet kanë hapur dyert për të pastrehët, ditë e natë, ku moti i ftohtë fajësohet për vdekjen e shtatë personave, pesë prej të cilëve të endacakë. Aeroportet në Sicili, Bari dhe Brindisi u mbyllën të shtunën ndërkohë që edhe Roma ka shënuar temperatura të ulëta.

Turqia është prekur rëndë nga i ftohti. Bosfori është mbyllur për lundrim ndërsa një stuhi e fuqishme bore ka goditur Stambollin.

Greqia, normalisht e ngrohtë, ka përjetuar temperatura prej -15 gradësh në veri ku një emigrant afgan ka humbur jetën si pasojë e të ftohtit ndërsa rrugët janë bllokuar. Në Athinë, temperatura nuk mundi të ngrihej mbi 0 gradë celsius dhe disa ishuj, si rrallë herë, u mbuluan nga bora.

Në disa nga ishujt grekë qëndrojnë me mijëra emigrantë dhe shumë prej tyre janë transferuar në ambiente të tjera apo në tenda me ngrohje për të evituar viktima të mundshme.

Të paktën 10 vetë kanë humbur jetën nga i ftohti në Poloni ndërsa temperaturat gjatë natës në rusi shkuan deri në -30 gradë celsius.

Rusia ka kaluar krishtlindjet ortodokse më të ftohta në 120 vitet e fundit ndërsa Praga ka regjistruar natën më të ftohtë deri më tani. Zyrtarët cekë thonë se të paktën tre janë viktimat e të ftohtit, dy prej tyre të pastrehë.

Raportet nga Bullgaria thonë se dy emigrantë irakian janë gjetur të vdekur në një pyll në juglindje të vendit ndërkohë që moti i ftohtë pritet të vijojë në pjesën dërrmuese të Evropës edhe për ditët në vijim.

Top Channel