Moti i keq, Emergjencat Civile raportojnë mbi situatën në akset rrugore

07/01/2016 00:00

Në buletin e fundit të së shtunës, Emergjencat Civile njoftojnë se në 12 orët në vazhdim pritet që të ketë ulje të mëtejshme të temperaturave sidomos në zonat malore.

Ndërkohë që vështirësive në qarkullim dhe mungesës së energjisë elektrike i janë shtuar dhe problemet me ujin e pijshëm, për shkak të ngrirjes së tubacioneve dhe depozitave.

Ministria e Brendshme njofton se deri në orën 21:00 në Qarkun Kukës të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme me zinxhirë. Në  Dibër, aksi rrugor Peshkopi -Lurë, vazhdon të jetë i bllokuar dhe po punohet me një fadromë për hapjen e saj.

Janë hapur akset rrugore Peshkopi-Selishtë dhe Rruga Ura e Çerenecit-Steblevë, të cilat kalohen me zinxhirë. Në Shkodër, aksi rrugor Shkodër-Qafë Thore-Theth është i bllokuar pasi trashësia e borës ka arritur 1 metër. Po punohet me 4 fadroma për hapjen e këtij aksi rrugor. Aksi rrugor Shkodër- Bregu Lumit është i bllokuar në vendin e quajtur “Mali i Shoshit”. Po punohet me 2 fadroma për hapjen e aksit rrugor.

Në tre njësitë administrative Shalë, Shosh dhe Pult vazhdon të jetë problem mungesa e energjisë elektrike.

Aksi rrugor Qaf Mali-Fierzë është i bllokuar. Trashësia e dëborës është 1.2 metër. Po punojnë 2 borëpastruese dhe 1 fadromë për hapjen e aksit rrugor. Aksi rrugor Bardhet-Iballë dhe Qafë Qerreti-Qelëz, është i bllokuar.

Trashësia e dëborës në Qafë Shari është rreth 70 cm. Po punojnë 2 fadroma për hapjen e aksit rrugor.
Aksi rrugor Fush Arrëz – Qafë Shllak, është i qarkullueshëm me zinxhirë. Trashësia e dëborës është 1 m.
Po punojnë 2 fadroma në këtë aks rrugor. Aksi rrugor Qafë Çelë – Pukë-Fushë Arrës, i kalueshëm me zinxhirë. Po punojnë 4 borëpastruese dhe 1 fadromë në këtë aks rrugor. Aksi rrugor Hadroi – Qafë Benë, i kalueshëm me zinxhirë. Po punojnë 1 borëpastruese  dhe 1  fadromë për mirëmbajtjen e këtij aksi rrugor.

Si shkak i motit me erë të fortë ka pasur probleme furnizimi me energji elektrike në bashkinë Pukë dhe në disa fshatra të Njësive Administrative Iballë, Fierzë, Blerim dhe Gjegjan.

Segmenti rrugor Bogë – Qafë Thore, Selcë (Shkemb i Kuq) – Budaqë (Vermosh) janë të bllokuara. Në vendin e quajtur “Gropat e Selcës” ka rreth 70 cm dëborë. Po punojnë tre fadroma nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile dhe Ministria e Mbrojtjes për hapjen e akseve rrugore në
bashkinë Malësi e Madhe. Segmenti rrugor Shllak- Temal vazhdon të jetë i bllokuar.

QARKU LEZHË

Aksi rrugor Kallmet-Ungrej, është i qarkullueshëm me zinxhirë. Aksi rrugor Rrëshen- Tuneli i Kalimashit është i kalueshëm me zinxhirë. Firma kontraktore po punon me 7 borëpastruese për të siguruar kalueshmërinë në rrugë. Aksi rrugor Rrëshen – Burrel është i hapur por në pjesë të caktuara ka vështirësi kalimi si pasojë e ngricave. Firma kontraktore po punon me fadroma për të mbajtur të hapur rrugën. Akset rrugore rurale të njësive administrative, Fan, Orosh, dhe Selitë janë bllokuar nga dëbora e cila ka arritur trashësinë 35-100 cm. Firmat kontraktore janë duke punuar, por ka vështirësi për shkak të
ngricave. Në njësitë administrative Fan, Orosh dhe Selitë ka mungesë të energjisë elektrike. Policia Rrugore po monitoron kalimin e automjeteve në akset rrugore.

QARKU ELBASAN

Aksi rrugor Librazhd-Stëblevë pas një pune intensive është bërë i kalueshëm me zinxhirë. Në Njësinë Administrative Stëblevë është rikthyer në normalitet furnizimi me energji elektrike. Në Njësitë administrative: Kodovjat dhe Skënderbegas të bashkisë Gramsh pas një pune nga grupet e OSHEE është rikthyer energjia elektrike. Situata është drejt normalitetit.

QARKU KORÇË
Të gjitha akset rrugore janë të qarkullueshme pa zinxhirë, me përjashtim të aksit rrugor Pogradec-Lin i cili është i qarkullueshëm me zinxhir. Nuk raportohen probleme të furnizimit me energji elektrike dhe ujë të pijshëm.

Top Channel