Siri, mbi 40 të vrarë në qytetin e kontrolluar nga rebelët

07/01/2017 00:00

Të paktën 43 vetë mbetën të vranë nga shpërthimi i një autobombe në qytetin sirian të Azazit, i kontrolluar nga rebelët anti-qeveritarë.

Shpërthimi ndodhi përpara një gjykate të qytetit që me territorin turk e ndajnë vetëm 7 kilometra. Azazi është vënë së fundmi intensivisht në shënjestër të Shtetit Islamik.

Sipas disa raportimeve, numri i viktimave nga shpërthimi i së shtunës mund të jetë edhe mbi 60, ndërsa të plagosurit janë akoma më shumë.

Deri tani askush nuk e ka marrë përgjegjësinë e ngjarjes që vjen në kohën kur në mbarë Sirinë është vendosur armëpushimi i ndërmjetësuar prej Rusisë dhe Turqisë.

Pavarësisht disa shkeljeve, ai përgjithësisht po mban. Sipas Observatorit sirian për të drejtat e njeriut, vetëm gjashtë prej viktimave të shpërthimit mund të jenë rebelë, të tjerët besohet të jenë që të gjithë civilë.

ISIS është përpjekur disa herë ta rimarrë qytetin, kontrollin e të cilit e ka humbur që prej 2013-s.

Top Channel