De Biasi i lutet “babagjyshit”: Dhuratë në mars, ndeshjen me Italinë

05/01/2017 00:00

Giani De Biasi e mbylli vitin 2016 edhe si personazhi më i dashur nga shqiptarët, sipas sondazhit tradicional të Top Channel. Një pozicion që e ka befasuar edhe vet trajnerin e përfaqësueses shqiptare.

“Jam shumë i kënaqur nga rezultati i këtij sondazhi, që më ka renditur mua të parin. Gjë që do të më dukej në fillim e pamundur të isha përpara kryeministrit, mikut tim Edi Rama, i cili po bën një punë shumë të mirë, ashtu si dhe kryebashkiakut Veliaj, që gjithashtu është ndër miqtë e mi dhe nga njerëzit e zotë në atë vend”, tha Gianni De Biasi.

Por festat mbarojnë shpejt kur kujton ndeshjen e radhës, atë me Italinë që do të zhvillohet në fundin e muajit mars. Dhe përkrah tij nuk do të jetë më një nga njerëzit e tij më të zotë dhe besnikë, siç e quan ai ish-zëvendësin Paolo Tramezzani.

“Tashmë do të kemi ndeshje njëra më e vështirë se tjetra, por duhet të përpiqemi të përballemi me kurajo ndaj kundërshtarëve. Dhe të bindur se, pavarësisht emrave të mëdhenj, ndeshja zhvillohet në fushë. Shqipëria ka humbur shumë me largimin e Tramezzanit, një profesionist shumë i mirë, për të cilin unë ende nuk po arrij të gjej një zëvendësues. Po mendohem mirë. Megjithatë nuk duhet të harrojmë që gjithmonë Toka do të rrotullohet, si të jetë Paolo apo jo, si të jetë De Biasi apo jo. Shqipëria tashmë ka krijuar gjurmët e rrugës së saj dhe ka treguar që mund të bëjë gjëra të mëdha edhe në një realitet të vogël”, tha Gianni De Biasi.

Trasfertën e radhës, italianët janë përpjekur të na e bëjnë edhe më të vështirë me vendimin për ta luajtur në Palermo.

“Sa i përket ndeshjes në Palermo, jam i bindur që Federata italiane e ka bërë me qëllim që të mos ketë shumë tifozë, siç do të kishte në ndonjë qytet në qendër apo në veri të Italisë. Megjithatë kam bindjen se tifozët shqiptarë do ta gjejnë mënyrën për t’u organizuar dhe për të qenë të shumtë në stadium, edhe aty”, tha Gianni De Biasi.

Këto festa nuk kanë pasur një dhuratë me sa duket për De Biasin nga babagjyshi, që ai e di edhe shqip tashmë se çfarë përfaqëson.

“Babagjyshi shpresoj që të na dhurojë ndonjë gjë më tepër në mars, që do të ishte shumë më e rëndësishme se në këtë periudhë festash”, tha Gianni De Biasi.

Top Channel