Kosovë, trajnerët e futbollit kërkojnë përmirësim të infrastrukturës sportive

05/01/2017 00:00

Viti 2016 ka sjell lajme të mira për sportin kosovar, e veçanërisht për futbollin. Sporti numër një, pas shumë e shumë peripecive, në mars të 2016-s u bë pjesë e UEFA-s dhe FIFA-s, por infrastruktura nuk është në të njëjtin hap.

Afrim Tovërlani, trajner i Ferronikelit që militon në Superligën e Kosovës, tha se Federata duhet të bëjë më shumë së bashku me autoritetet shtetërore, pasi janë vite pas krahasuar me futbollin në rajon.

“Mendoj se 2016 pas pranimit ka riorganizim më të mirë të klubeve, mirëpo, asnjëherë e mjaftueshme. 17 vite kemi ngec prapa, nga pavarësimi dhe nga viti 1991 janë edhe 8-9 vjet tjera, shumë periudhë e gjatë dhe gjithat përnjëherë nuk mund t’i realizojmë, mirëpo duhet gradualisht, por duhet më shpejtë se deri me tani t’i përmirësojmë gjerat duke filluar nga infrastruktura. Pres gjera pozitive nga futbolli kosovar, nga klubet, nga kryesitë e klubeve edhe nga vet shteti, sidomos kryetarët e komunave duhet ta ndihmojnë klubet, sepse është goxha një kosto e madh që nuk mund të përballojnë vet klubet”, ka thënë Tovërlani.

Ndërkohë, trajneri i KF Gjilanit Arbnor Morina mendon se viti 2016 solli zhvillime të rëndësishme, por infrastruktura sportive mbetet “thembra e akilit” në futbollin e Kosovës.

“2016 na ka pruar gëzime sa i përket futbollit për arsye se u pranua federata në gjirin e UEFA e FIFA-së, pastaj filluan ndeshjet zyrtare te reprezentacionit të Kosovës. Mirëpo, sa i përket asaj pjesës tjetër të futbollit, atëherë them se është një vit që nuk lejon të gëzohem shumë. Kur them nuk lejon shumë më u gëzuar, atëherë pikësëpari mendoj në organizimin e klubeve të cilat kanë mbetur në nivelin e njëjtë nën 1, nën 2 ana financiare e klubeve është jo stabile, nën 3 mendoj së infrastruktura ende është ‘thembra e akilit’, nuk po ka lëvizje adekuate sa i përket infrastrukturës nëse heqim investimin në stadiumin e Prishtinës, që po bëhet më forcat e përbashkëta me ministrin dhe Komunën, për të pasur një stadium për të luajtur ndeshje ndërkombëtare”, ka thënë Morina.

Ekspertët e futbollit kosovar shpresojnë se viti 2017 do të jetë më i mirë, si në rrafshin kombëtar, e sidomos në rrafshin ndërkombëtar, sepse në 2017-n pritet që klubet e Superligës të jenë pjesë e kupave europiane.

Top Channel