Padia për mandatet, dorëzohen apelimet kundër vendimit të KQZ

05/01/2017 00:00

Avokatët e ish-deputetit Dashamir Tahiri dorëzuan në Gjykatën Administrative dhe në Kolegjin Zgjedhor dy kërkesë padi, përmes të cilave kërkojnë fillimisht të ngrijë vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që pak ditë më parë i ndërpreu deputetit mandatin.

Deri në përfundim të gjykimit në themel, ku kërkohet të rimerret mandati i deputetit, mbrojtja synon pezullimin e aktit administrativ të KQZ, që të premten në 12 do t’i japë mandatet e deputetit Edmond Zenos dhe Flamur Çelajt.

“Normalisht zoti Tahiri duhet të shkojë në Kuvend derisa të vendosë gjykata. Vendimi i KQZ nuk është vendim i formës së prerë dhe ai s’ka asnjë pengesë për të shkuar në Kuvend”, ka deklaruar avokati Fatmir Braka.

Avokati i ish-deputetit ka theksuar se ligji i dekriminalizimit ka probleme kushtetuetshmërie.

“Ka absurditete që nuk qëndrojnë, sidomos përsa i përket rehabilitimit të personit, për efektet e veprimit të ligjit në kohë. Unë plotësoj formularin në një kohë të caktuar, ndërsa ligji jep efekte prapavepruese. Këto janë gjëra që i shikon gjykata”, ka thënë Braka.

Ndërkohë, edhe ish-deputeti Shkëlqim Selami ka dorëzuar padinë në Gjykatën Administrative, ku kërkon kthimin e mandatit.

Por kjo gjykatë parashikohet të hedhë shortin për caktimin e trupës gjyqësore javën e ardhshme dhe jo brenda 12 orëve për shkak të ngarkesës së shkaktuar prej mbartjes së dosjeve nga viti 2016 në 2017.

Top Channel