Inter, nëse Banega shkon në Kinë do të tentohet Gagliardini

31/12/2016 00:00

Aksi Itali-Kinë duket më i mbipopulluar se kurrë më parë nga agjentë dhe ndërmjetësa futbollistësh. Në Milano, zikaltrit presin sinjale konkrete sa i përket të ardhmessë Ever Banegës, i cili ndiqet prej Shangai Sipg, që tashmë drejtohet nga Andre Villas Boas, si dhe Tianjin, nën drejtimin e Fabio Cannavaros.

Zyrtarisht, Interi nuk e ka nxjerrë në merkato lojtarin 28-vjeçar nga Rosario e Argjentinës, por është e vështirë të mendosh se dyert do të mbeten të mbyllura përballë një superoferte të mundshme, si ato që di të bëjë vetëm Kina në këto kohë, që për zikaltrit do të rezultonte e gjitha një përfitim.

Sipas asaj që parashikojnë drejtuesit nga rruga “Vittorio Emanuele” mund të flitet për një ofertë prej të paktën 25-30 milionë eurosh, shumë që do ta bënte të disponueshëm lojtarin për t’u larguar. Megjithatë, aktualisht tek Interi askush nuk është i pashitshëm. Ndërsa drejtori sportiv Piero Ausilio duket se ka hedhur vështrimin nga preja e radhës, Gagliardini, mesfushori 22-vjeçar i Atalantës për të cilin ekziston edhe konkurrenca e Juventusit.

Për talentin në fjalë mund të bëhet e mundur edhe transferimi në janar në Milano, përmes një huazimi me të drejtë blerjeje në fund, prej thuajse 25 milionë eurosh, një shumë që do të kënaqte tej mase Atalantën, edhe nëse nuk do ta shiste përfundimisht lojtarin në këtë merkato.

Gagliardini duket se ka fituar edhe zemrat e kinezëve të “Suning”,që e shohin lojtarin një prej fytyrave kyçe të skuadrës që do të ndërtojnë për sezonin 2017-2018.

Por largime të mundshme priten të jenë edhe ato të Felipe Melos te Palmeiras, Jovetiçit, Biabianysë, Palacios ose Ederit, Santonit ose Miangue, Nagatomos, Gnoukourit dhe Yao.

Top Channel