“Dënim” si babagjysh për të gëzuar fëmijët

30/12/2016 00:00

Kur specialisti i Shërbimit të Provës e pyeti Sokol Darushin nëse në vijim të dënimit me punë në komunitet do të pranonte të shpërndante dhuratat e blera nga punonjësit e këtij institucioni, ai jo vetëm që pranoi, por për t’iu përafruar babagjyshit të Vitit të Ri u paraqit me një mjekër dhe një kapele.

45-vjeçari është i dënuar nga gjykata për vjedhje të energjisë elektrike. Për ato pak orë dënim që i kanë mbetur, ai mori lejen në pikën e basteve ku punon, për të qenë i pranishëm në Shtëpinë e Fëmijës.

“Unë jam i veshur si babagjysh, e njëkohësisht i dënuar për një vepër penale. Shpresoj që këta fëmijë, kur të rriten të mos bëhen si puna jonë. Të kenë edukatën familjare. Unë s’jam babagjysh, por mjafton që gëzuam fëmijët, kjo ka rëndësi. Është një kënaqësi e veçantë për fëmijët jetimë, pa nënë e pa baba, që të marrin dhurata”, tha Sokol Darushi.

Sokoli ka dy fëmijë, për të cilët – siç thotë, – ka provuar çdo punë që atyre mos t’iu mungojë asgjë.

“Vetëm që t’i gëzoj fëmijët. Blej çdo gjë për fëmijët, jap çdo gjë”, thotë ai.

Top Channel