Probleme nga akulli në Korçë e Kukës

29/12/2016 00:00

Pas reshjeve të borës në Korçë nuk kanë munguar as problematikat si pasojë e motit të keq. Në zonat e thella malore, pas stuhisë ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa për shkak të ngricës kanë dalë edhe automjete nga rruga.

“Ka pasur probleme në disa akse të caktuara rrugore. Ka pasur probleme me furnizimin me energji elektrike në disa zona të caktuara. Ekipet e mirëmbajtjes janë të shpërndarë në terren. Sa i përket ditëve në vijim, situata parashikohet me ngrica të forta, ndaj dhe po përqëndrohemi më shumë te mirëmbajtja e rrugëve, për të shmangur episodet aksidentale”, tha Ardit Konomi, Prefekti i Korçës.

Gjatë 24 orëve të fundit edhe Kukësi është përfshirë nga reshje dëbore, të shoqëruara me erëra të forta, ulje temperaturash e ngrica gjatë natës. Si pasojë e kësaj situate janë krijuar probleme kryesisht në qarkullimin rrugor, në disa prej njësive administrative si Arren, Kalis, Grykëcajë, Ujmisht, Topojan, Shishtavec e Zapod. Në këto njësi, qarkullimi rrugor kryhet me vështirësi.

“Rruga e Kombit” është e hapur, por në rrezik për ngrica. Ndërsa energjia elektrike mungon në njësitë administrative të Shishtavecit, Topojanit dhe Grykëcajës.

Top Channel