Incidenti i “Tupolev”, autoritetet: Nuk ishte sulm terrorist

26/12/2016 00:00

Nuk ka qenë një atentat terrorist ajo çfarë shkaktoi tragjedinë ajrore të avionit rus “Tupolev”, që u rrëzua dy minuta pas ngritjes në ajër nga Soçi, me 92 pasagjerë në bord, të cilët humbën jetën.

Sipas shërbimeve sekrete ruse, nuk ka shenja që të tregojnë se bëhet fjalë për një sulm terrorist. Edhe Ministria e Transporteve ka deklaruar se gjasat janë që shkak të jetë bërë një gabim i pilotit ose një defekt teknik.

Një ditë më parë autoritetet ruse fillimisht mohuan por më pas nuk e përjashtuan mundësinë e një sulmi terrorist.

Në bordin e avionit ndodheshin edhe 64 anëtarët e Korit të Ushtrisë Ruse, të cilët po udhëtonin drejt Sirisë për të mbajtur një koncert me rastin e Vitit të Ri për trupat ruse të angazhuara në vendin e Lindjes së Mesme.

Përveç tyre në listë ishin edhe 8 anëtarë të ekuipazhit, 8 ushtarakë, 2 përgjegjës civilë, një anëtar i një organizate ndërkombëtare humanitare dhe 9 gazetarë. Bëhet fjalë për të dërguarit e kanaleve NTV, Channel One dhe Zvezda.

Top Channel