Higuain: Dybala si Messi

25/12/2016 00:00

“Dybala ngjan shumë me Messin”, këto janë fjalët e Gonzalo Higuain. Në një intervistë me David Trezeguet, “El Pipita” krahasoi shokun e skuadrës me pesë herë fituesin e “Topit të Artë”.

“Ata janë të njëjtë. Messi e dëshmon çdo ditë që është më i miri. Paulo është ende i ri, 23-vjeç dhe e gjitha varet nga ai. Ai ka të gjitha karakteristikat për t’u bërë kampion, por duhet të jetë i fortë mendërisht. Kur ju arrini në nivele të larta shumë shpejtë nuk është e lehtë të qëndrosh aty për shumë vite. Do të ketë ulje dhe ngritje, duhet të mbani ekuilibrin dhe të mos dëgjoni shumë kritikat dhe lëvdatat”, tha Higuain.

Sulmuesi argjentinas mendon se Championsi nuk është një mision i pamundur për Juven, por thotë se dëshiron edhe titullin. “Champions? Kemi një ndjenjë që mund t’ia dalim. Por erdha këtu për titullin e gjashtë radhazi sepse njerëzit gjithmonë mbajnë mend trofeun e fundit. Kush e fitoi të parin do të mbetet i rëndësishëm, por më i rëndësishëm se i pari do të jetë ai që të dhuron të gjashtin”, tha “El Pipita”.

Higuain është pyetur edhe për sulmuesin që pëlqen më shumë dhe ai ka zgjedhur uruguaianin Luis Suarez, pa harruar Lewandowskin e Bayern dhe Agueron e Manchester City.

Titulli i parë kampion për të si lojtar i Real Madrid nën drejtimin e Capello është më i bukuri për argjentinasin. “Mbërrita në janar dhe ishim 14 pikë mbrapa Barcelonës. Nuk po luanim mirë por arritëm të marrim veten dhe në fund u shpallëm kampionë”, tha Higuain.

Top Channel