F1, Wolff mohon konfliktin e interesit, nëse Bottas bashkohet me Mercedesin

25/12/2016 00:00

Edhe pse te Mercedesi duhet ende, që të vendoset piloti pasues i kampionit të botës në Formula 1, rrethi i kandidatëve është ngushtuar shumë dhe mes emrave më të përfolur mbetet Valtteri Bottas.

Për këtë të fundit ka një ndikim të madh shefi i skuadrës së Mercedesit, Toto Wolff, që akuzohet se favorizon pilotin që bën pjesë në kompaninë e tij menaxhuese. Por, sipas gjermanit nuk ekziston konflikt interesi, çfarëdo që të ndodhë me tratativat në merkaton e Formulës 1.

Mercedesi synon finlandezin për ta ulur në njëvendëshen e lënë bosh nga Rosberg, në mënyrë që nordiku të ishte partner i Lewis Hamilton në synimin për të dominuar botën e garave.

“Nuk ka aspak konflikt interesi në gjithë këtë, pasi nëse marrëveshja finalizohet me Valtteri Bottas, unë jap dorëheqjen nga kompania menaxhuese e pilotit nordik. Di që kur iu bashkova kompanisë ‘Daimler’, 4 vite më parë, firmosa një kontratë. Kështu që nuk mund të kem interes tregtar në një pilot të Mercedesit. Kushdo që flet për probleme, nuk arrin ta kuptojë Formulën 1”, tha shefi i kampionëve të botës, Toto Wolff.

Ai këmbënguli se ende nuk është marrë një vendim për pilotin e ri të Mercedesit. “Kjo përfshin përveç ekipit dhe tifozëve tanë, edhe skuadrat e tjera që duhet t’i respektojmë. Valtteri Bottas është një opsion, por dimë gjithashtu sa rëndësi ka ai për Williamsin. Është një situatë delikate, ku do të lëvizim me kujdes”, tha shefi i Mercedesit.

Top Channel