Unioni i Berlinit, në festë. Futbolli kundër terrorizmit

25/12/2016 00:00

Futbolli është një sport masiv që bashkon mijëra njerëz në stadiume, por edhe para ekranit të vogël për të vëzhguar lojën më të bukur të planetit. Pikërisht për këtë, por edhe si një mesazh ndaj tragjedisë së fundit, drejtuesit e skuadrës së Unionit të Berlinit i dhanë një kuptim special vigjiljes së Krishtlindjes.

Plot 28.500 tifozë ishin të pranishëm në stadiumin e ekipit të tyre të zemrës, për t’iu bashkuar nismës “Futbolli kundër terrorizmit”. Unioni i Berlinit e praktikon këtë takim spektakolar mes qirinjve, që prej vitit 2003, por këtë herë mori rëndësi të veçantë pas sulmit terrorist me kamionin mes turmës në një treg festash.

Para se të niste ceremonia, në stadiumin e futbollit u mbajt një minutë heshtjeje për viktimat nga terrori, e më pas i gjithë impianti i skuadrës së “Bundesliga 2” gëloi nga festa dhe këngët.

Në vitin 2003 ishin vetëm 89 tifozë që iu bashkuan nismës së Unionit të Berlinit në festat e fundvitit, por në vitet e fundit nuk ka pasur asnjë vend të lirë në stadium.

Top Channel