Irak, festohet Krishtlindja e parë pas çlirimit të qytetit të krishterë

25/12/2016 00:00

Disa qindra irakianë të krishterë shkuan në qytetin verior të Bartellës, i çliruar së fundmi nga Shteti Islamik, për të festuar Krishtlindjen për herë të parë që prej vitit 2013.

Ky qytet ishte dikur shtëpia e mijëra të krishterëve asirianë, po u boshatis në gusht të vitit 2014, kur ra në duart e militantëve të ISIS dhe mundi të çlirohej vetëm këtë vit, megjithëse pjesa më e madhe e popullsisë nuk është kthyer ende.

Peshkopi Mussa Shemali tha se, festimi i Krishtlindjes në Bartella sjell një ndjesi të përzier, lumturie dhe trishtimi. Lumturi për kthimin në qytet, trishtim për ata që nuk janë, për jetën që zor se do të kthehet në normalitet dhe shkatërrimin që militantët e ISIS lanë pas.

Në mënyrë të ngjashme u shprehën edhe besimtarët e pranishëm në kishën e dëmtuar rëndë nga fushata shkatërrimtare e Shtetit Islamik, ndërsa mesha e Krishtlindjes u cilësua si një sfidë ndaj grupit terrorist.

Rajoni Nineveh, ku gjendet qyteti Bartella, është një prej vendbanimeve të krishtera më të vjetra, thuasje 2000-vjeçare, në Irak.

Top Channel